Projekti “Tirana KultUrë (CultTour)” synon të zhvillojë një tur kulturor duke lëvizur në urat e kulturës në Tiranë. Ky tur është konceptuar si një mozaik me personazhe, objekte dhe historitë e tyre, duke dixhitalizuar, transmetuar dhe arkivuar një grup aktivitetesh të organizuara në kryeqytet për të dokumentuar në mënyrë të kthjellët dhe me interpretim nga vetë organizatorët, punën e tyre kolosale.

Një projekt nga Mimoza Ahmeti dhe Endri Qenanaj,
me mbështetjen e Bashkisë Tiranë
Ju tregojmë për disa nga personazhet tona si ...

      Kristoffer Leandoer, poet, shkrimtar, përkthyes dhe gjithashtu ish anëtar i jurisë së çmimit Nobel në letërsi, jeton, teksa flasim, në Tiranë. Kjo, sepse ai është bashkëshort i ambasadores së Suedisë në Shqipëri. Ky qëndrim relativisht i gjatë në vendin tonë e ka frymëzuar për “16 udhët përpjetë malit” në librin e tij me poezi. Ne bisedojmë së bashku mbi motivet e vargjeve dhe filozofinë pas tyre, dashurinë e tij për Shqipërinë dhe metaforën, si dhe vlerësimin e jashtëzakonshëm për Lasgush Poradecin. Kemi veçanërisht kënaqësinë të jemi jo vetëm në premierën e promovimit të librit, por dhe ta dëgjojmë tek reciton në gjuhën origjinale dhe anglisht, disa nga poezitë e tij të përzgjedhura për mbremjen poetike në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit në Tiranë.



Anila Zajmi-Katanolli, jo vetëm stilistja e parë e vendit, por edhe kostumografia e parë në Shqipëri, ndan me ne projektin e saj më të fundit, “Akademia AZK”, në një partneritet frymëzues me Evis Durajn, ish-studenten e saj të Liceut Artistik “Jordan Misja”, tashmë mike por edhe kolege. Artistet na tregojnë mbi këtë bashkëpunim unik, funksionin praktik të artit sidomos për të rinjtë si dhe domosdoshmërinë e kalimit të përvojës në mësimdhënie, si një hartë vlerash që duhet piketuar nga nje artiste multidimensionale.



    Viktor Zhusti hipi në fron dhe rrëzoi Mbretin Lir për 25 shfaqje me radhë në zemër të Tiranës, duke sjellë një personazh sfidues të Shekspirit në një realitet kaq të ngjashëm me të, ende, sipas tij. Bisedojmë së bashku për fuqinë e teatrit dhe progresionin gjeometrik me të cilin një artist shumëfishohet edhe brenda fare pak orësh, nëse vërtet puna e tij ka vlerë. “Asgjë nuk vjen nga asgjëja! Aktori duhet te jete pergjegjes per artin dhe krijimin e vet.” – shprehet Zhusti teksa inkurajon aktorët e rinj për të punuar me seriozitet dhe falenderon të gjithë dashamirësit e performancave të roleve të tij. 


Rita Petro Filipi, botuesja e dashur veçanërisht për të vegjlit dhe të rinjtë që përdorin librat e mrekullueshëm të shtëpisë botuese Albas, na tregon përshtypjet e saj mbi librin shqip brenda dhe jashtë panairit në 25 vjetorin e tij, por dhe mendimet e saj mbi frymën e re qe do të dëshironte aq shumë të shihte në mbrëmjet poetike të kryeqytetit, si edhe tek zgjedhjet që të rinjtë bëjnë me leximet e tyre. Petro prezanton gjithashtu romanin e saj të parë “Lindur së prapthi” realizuar nga shtëpia botuese “Onufri”, ku elementi i skandalit, një motiv thelbësor i veprës së autores, vjen mbase më i prekshëm se në poezitë e saj, por po aq konkret sa përherë. “Të rrëfehen mbresat, dhe jo thjesht historia” – shprehet Petro, dhe ne, jemi plotësisht dakord.

 

The International Contemporary Dance Festival (ICDFT)
Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit Bashkëkohor është një projekt nga Tim Newman (D18 Paris) dhe Ajola Xoxa (Harabel Contemporary) që synon të mbledhë kompani të ndryshme ndërkombëtare të kërcimit për të performuar në Tiranë dhe të vendosë Shqipërinë në hartë si një destinacion kërcimi bashkëkohor.

Festivali vjen me drejtimin artistik të koreografit të njohur ndërkombëtarisht me origjinë shqiptare, Angelin Preljocaj i shoqëruar nga Nicole Saïd, drejtoreshë e Baletit Preljocaj, kompani që ata drejtojnë së bashku që nga viti 1984. Qëllimi i ICDFT nuk është vetëm të shfaqë performanca të kërcimit bashkëkohor nga kompanitë e reputacion ndërkombëtar, por promovon edhe interpretues të rinj dhe premtues,
me fokus kryesor koreografët shqiptarë.

Ky edicion i parë përmbante koreografi të krijuara nga Angelin Preljocaj (baleti Preljocaj), Eno Peçi (me bazë në Vjenë, Austri), Blenard Azizaj (me bazë në Berlin, Gjermani), Gentian Doda (me bazë në Berlin, Gjermani) dhe Emelie Lalande (1Promptu).

Ju ftojmë të ndiqni vetëm disa nga përshtypjet për festivalin nga Inva Mula,
e cila jep gjithashtu edhe mesazhin më të madh të artit sipas saj,
nga Vlashent Sata, kantautor shqiptar, dhe Blenard Azizaj

Blenard Azizaj vjen në Tiranë me një skuadër fantastike ndërkombëtare të kërcimit bashkëkohor, nën kujdesin e veçantë të ‘Harabel Contemporary’ me një kurim unik të të gjithë projektit dhe performancave nga një ekip prestigjoz i cili pret të dëgjojë sërish me sa më pak vonesë duartrokitjet e publikut shqiptar. Performanca e “The Great Migration” ka në thelb të gjithë transformimin kulturor, ekonomik dhe politik që po ndodh sot në botë, por shkëndijat e para të frymëzimit, Azizajt i kanë ardhur nga përvoja jetësore plotësisht vetjake e po atij vetë; në vazhdim edhe nga historitë e emigrimit të trupës së kërcimit.

  “Në këtë botë jemi të gjithë emigrantë.” – shprehet ai teksa bisedojmë ballëpërballë mbi përvojën e prurjes së veprës nga Berlini edhe për publikun shqiptar, duke përfshirë të gjithë procesin e organizimit, në elementet kompozicionalë, aplikativë, të performancës por deri edhe te çdo detaj tjeter i domosdoshëm që plotëson puzzle-in e të gjithë strukturës që nga gjeneza e mendimit deri në shfaqjen finale para publikut.

  “Dua të ndaj përvojat e mia me vendin tim.” – përfundon Azizaj teksa shprehet mbi pjesën më intime të artit të tij: “Më pëlqen tensioni në skenë, sepse tregon një pjesë të së vërtetës sonë e cila manifestohet dhe pse jo, edhe zhvillon katarsis. Këto janë përvoja jete që të formojnë. Në skenë ti nuk gënjen dot; je i zhveshur dhe përballesh me brendësinë tënde kur sheh veten në shfaqje.”

Teksa përfundojmë bisedën, ai jep dhe një mesazh për projektin tonë
 "Tirana KultUrë (CultTour)"




   Eir Plasari vjen këtë herë me një homazh intim për Tiranën në librin e saj më të fundit të mbështetur nga bashkia e kryeqytetit. Autorja skalit me nostalgji një monument modest por shumë të çmuar për fëmijën e përmalluar brenda saj me trazira shpirterore dhe nostalgjie. Nën titullin “Tirana Redux”, ajo flet për qytetin e lindjes por e dëgjojmë tek shprehet me shumë dashuri dhe për qytetin që sipas saj, e ka birësuar, Romën

Ndalet në marrëdhënien psiko-letrare mes gjuhëve te një autor multilinguistik, në aparatin antropologjik fëminor si dhe në imazhin jo vetëm me fjalë por edhe me linja, që ajo nuk e lë kurrë pas dore. Në vepër kërkohen në mënyrë të pashmangshme edhe pergjigje për të gjitha raportet që mund të mendohen mes individit dhe qytetit: a kemi të bëjmë me një fëmijë që po shkruan me sofistikimin e një të rrituri apo me një të rritur të mençur,
që flet me çiltërsinë e një fëmije… ?

Por një gjë është e sigurt për Eir Plasarin; shprehur në vetë fjalët e veta: “Sikur të më thoshin që të shkruaj një roman të cilin vetëm një person do ta lexojë, une do ta shkruaja; kaq shumë gëzim më jep marrëdhënia me lexuesin.”



AIK ka për qëllim zhvillimin e industrisë krijuese, sipërmarrjeve krijuese dhe ekonomisë
krijuese duke ofruar shërbime, trajnimeve dhe hapësira të dedikuara për individë dhe
sipërmarrje aktive në Tiranë. Disa nga objektivat janë:

- Krijimi i nje Muzeu Dixhital me vepra nderkombetare.
- Krijimi i nje Hapsire "YouTube Space" per prodhimin me permbajtje Audiovizual.
- Organizimin e festivaleve te filmit kombetar dhe nderkombetar ne qytet.
- Organizimin e javeve te filmit te huaj ne Tirane.
- Ri-vitalizimin e kinemave te qytetit.
- Ideimin dhe organizimin e aktiviteteve sociale, kulturore, edukuese dhe argetuese per te gjitha moshat.
- Platforme socializuese me nje Databaze te larmishme dedikuar te gjithe artitesve shqiptar/ te huaj. - Hartimin e nje kalendari aktivitetesh mujore dhe javore dhe publikimin e tij ne media dhe online.
- Krijimi i nje Laboratori Kreativ per te mundesuar realizime te ndryshme.
- Zhvillimin e kurseve per te gjitha moshat ne fusha te ndryshme te Industrise Kreative si psh , film, post-produksion, aktrim, pikture, skulpture, vegla muzikore, kanto, pocari, grafike, 3D, fotografi, teater, etj.

Biseduam gjithashtu me drejtuesin e Agjencise, z. Jonid Jorgji, ku mes te tjerash, ndaluam dhe tek "Fshati Krijues"



Profesor Aurel Plasari, autor dhe studiues i rëndësishëm i letrave shqipe, i ftuar në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit në Tiranë zhvilloi një temë sa abstrakte aq edhe konkrete: kujtesën. Me pyetje nga kolegë pjesëmarrës si dhe nxënës të shkollave të mesme, ai shpjegoi punën e tij shumëvjeçare në këtë fushë dhe instrumentat e ndryshëm metodikë dhe personalë për një kujtesë sa më të shëndetshme. Një figurë e rëndësishme e trajtuar qe dhe Simonidi, mishërimi i kujtesës figurative në antikitetin grek.




Përgjatë këtij viti, Tirana ka gëluar me artistë ndërkombëtarë falë edhe aktiviteteve të njëpasnjëshme kulturore të JKN. Ne zgjodhëm, mes shumë subjekteve interesante, të invervistojmë artistët e teatrit të rrugës që vinin nga Viena, me kuriozitetin për të kuptuar se si ia dalin, edhe pas kaq shumë vitesh dhe udhëtimesh nëpër botë, të ruajnë ende shpirtin rinor pa transmetimin e së cilit, shfaqjet e tyre në rrugë nuk do të kishin pikë vlere. Por ajo që është akoma më befasuese është mosha e aktorëve. Ndoshta më shumë se sa fjalët, janë veprat e tyre që flasin të vërtetën që ne kërkojmë të dimë…



Bienalja Ndërkombëtare e Grafikës në Tiranë

     Bienalja Ndërkombëtare e Grafikës me punime nga 470 artistë u çel në Galerinë e Artit Tiranë. Një hapësirë në këtë bienale në edicionin e saj të parë kanë zënë edhe punimet e artistëve të rinj. Disa nga mjeshtrit botërorë dhe ata shqiptarë dhe kosovarë prezantojnë në këtë edicionin veprat në artin e grafikës. Një pjesë e madhe e punimeve të bienales do të bëhen pjesë e fondit të GAT, falë dëshirës së vetë artistëve për t’i dhuruar ato.

Kuratori i Bienales së parë Ndërkombëtare të Grafikës në Tiranë, dr. Abaz Hado tha se është një ngjarje në jetën artistike të kryeqytetit, dhe se Galeria e Artit Tiranë po operon tashmë si një galeri e madhe. “Bienalja është një ngjarje e madhe për mua, për artistët, për galerinë. Jam i lumtur që patën besimin e artistëve nga 50 vende të botës. 500 vepra zor se mund të mbledhim dhe në qytetet më të mëdha të botës dhe këtu janë disa nga nivelet më të larta të grafikës botërore”, - u shpreh ai. Veprat e artistëve të huaj dhe atyre shqiptarë janë ekspozuar në Galerinë e Artit Tiranë, por drejtori dr. Abaz Hado u shpreh dhe për nivelin e lartë artistik. “Me rëndësi të theksohet është edhe fakti se teknikat janë të larmishme, si dhe artistët kanë mundur të kuptojnë konceptin e të jetuarit me kohën.

Kjo ide ka dalë nga një vepër në tjetrën, ku duket se niveli i tyre është shumë i lartë.” Mes të ftuarve të tjerë në ekspozitë, ju ftojmë të ndiqni gjithashtu edhe fjalën e ambasadorit të Japonisë në Shqipëri,dhe të disa prej protagonistëve të tjerë.




BCYA, 3 ditë koncert për mbështetjen e kompozitorëve të rinj
Nga data 19 tetor deri më 21 tetor me synimin e veçantë për të mbështetur
kompozitorët e rinj shoqata ACA organizoi Balkan Contemporary Youth Academy.

Në kuadër të “BCYA”, u zhvilluan një sërë koncertesh me krijimtarinë e kompozitorëve Johannes Kretz, Dorian Çene, Annelies van Parys, Aulon Naçi, Jana Andreevska, Feim Ibrahimi, Thoma Gaqi, Kuno Kjærbye, Bela Bartok, Branka Popovic. Koncerti i orkestrës së harqeve, që u mbajt më datë 20 Tetor, u drejtua nga z. Olsi Qinami dhe paraqiti vepra të njohura për publikun shqiptar.

Në përfundim të aktiviteteve formuese, më 21 Tetor u mbajt edhe koncerti i kompozitorëve të rinj pjesëmarrës. Veprat e këtij koncerti janë propozuar nga vetë krijuesit, ndërkohë që teknikat kompozicionale dhe ato interpretative u konsultuan me pedagogët përgjatë zhvillimit të veprimtarive formuese. Për të ofruar një ekspertizë sa më të mirë dhe për të nxitur krijimin e networking mes artistëve të rinj nga rajoni e më gjerë, i ftuar ka qenë dhe ansambli Italian “Alter Voci” i cili do të shërbejë si asambël rezident dhe interpretoi në koncertet e datave 19 dhe 21 Tetor.



Së shpejti, edhe më shumë informacion për artistët e tjerë protagonistë dhe veprat
e rëndësishme të realizuara gjatë projektit Tirana KultUrë (CultTour) në kryeqytet. ​​​​​​​

Në këtë link, po rivendosim kanalin tonë të YouTube ku mund të shikoni të gjitha videot e publikuara si edhe videot e reja që do të vendosim në vazhdim.
Ndërsa duke klikuar në këto links, mund të na ndiqni në faqet tona

Tirana KultUrë (CultTour)
Published:

Tirana KultUrë (CultTour)

Published: